Broja nuk do të jetë, në vend të tij Myrto Uzuni. Kështu e nisi konferencën për shtyp, trajneri i kombëtares Sylvinho, në prag të përgatitjeve për ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Ukrainës, sfidë që do të luhet në Pragë. Tekniku foli edhe për lojtarë të tjerë që mungojnë.

“Muçi është i rëndësishëm për ekipin, ka qenë gjithmonë pjesë e Kombëtares e kemi pasur edhe në Europian. Ne kemi bërë një vlerësim të lojtërve që mund të kenë të njëjtat cilësi për të zëvendësuar Asanin në krahun e majtë dhe për këtë arësye kemi thurrur Spahiun dhe Zekën. Etrit Berisha është pa klub, dhe pa stërvitje. Por kombëtarja është e hapur për të gjithë lojtarët që mund të na shërbejnë. Futbollistët duhet vetëm të rrisin nivelin e tyre pasi të gjithë janë në vëmendjen tonë”.

Trajneri e konsideron një kompeticion të rëndësishëm Ligën e Kombeve, për të mbajtur të gjithë lojtarët të përqëndruar, por nga ana tjetër nuk e fsheh që këto ndeshje mund të shërbejnë si përgatitje për kualifikueset e Botërorit.

“Ukraina, Gjerogjia dhe Çekia kanë skuadra të forta, kanë lojtarë të fortë do të jenë ndeshje të vështira dhe të luftuara. Jemi një Kombëtare në rritje. Nuk kemi kohë për të bërë eksperimente. Shkojmë në fushë për të përfaqësuar një komb, të luajmë me shpirt dhe zemër. Një lojtar që nuk mendon kështu qëndron jashtë”.

Sylvinho përfitoi nga rasti për të falenderuar Sokol Cikalleshin dhe Klaus Gjasulën për kontributin e tyre në kombëtare. Trajneri i cilësoi ata si dy lojtarë të përfshirë maksimalisht gjithnjë me punën dhe seriozitetin e tyre.

Tv Klan