Gjatë një konference për mediat trajneri i Kombëtares Sylvinho lajmëroi se Armando Broja nuk do të jetë pjesë e ekipit kuqezi për dy ndeshjet e UEFA Nations League për shkak të dëmtimit të tij.

Në fjalën e tij Sylvinho u shpreh se në listën e përpiluar janë vetëm dy lojtarë të rinj, duke shtuar se është një vlerësim i lojtarëve të rinj dhe jo një eksperiment.

“Nations League është një kompeticion i rëndësishëm, i cili mund të na japë një dorë shumë të mirë për Botërorin. Ukraina, Gjeorgjia dhe Çekia kanë lojtarë të fortë. Janë ndeshje të vështira të forta. Jemi një kombëtare e cila po rritet, nuk kemi shumë hapësira për të bërë eksperiment dhe mua nuk më pëlqen fjala eksperiment, por do ta quaja vlerësim ose kontroll të lojtarëve të rinj. Por në këtë listë që ne kemi përpiluar vetëm dy prej tyre janë të rinj sepse të tjerët kanë luajtur më parë. Duhet të përmirësohemi si kombëtare, duhet të bëjmë vlerësime dhe jo eksperimente. Ne shkojmë në fushë për të përfaqësuar një komb dhe futemi në fushë me shpirt dhe me zemër,” përfundoi trajneri i Kombëtares.

I pyetur për afrimin në Kombëtare të Brajan Grudës i cili luan në Gjermani, trajneri Sylvinho tha se po punohet në këtë aspekt.

“Rasti i Brajan Gruda, është e vështirë nuk është një punë sekrete, por ne duhet ta bëjmë me profesionalizëm duke qenë se lojtari ka dy nacionalitete dhe ai mund të përfaqësojë cilëndo kombëtare që të dëshirojë. Kur lojtarët kanë interes patjetër që stafi teknik punon për t’i kontaktuar, por nuk mund të them se çfarë po bëjmë ekzaktësisht, por është një punë shumë e bukur që po bëhet,” shtoi Sylvinho.

/tvklan.al