Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani ishte në një linjë me qëndrimin e ambasadores amerikane në NATO Julianne Smith, se Rusia është duke tentuar të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe përmes sulmeve hibride dhe fushatës së dezinformimit.

Julianne Smith: Rusia po përdor një listë klasike të mjeteve, ku fokusi kryesor është fushata e dezinformimit që ka për qëllim nxitjen e ndarjeve dhe destabilizimin. Ata synojne percarje mes aleatëve, mes SHBA-së dhe partnerëve në rajon si dhe mes aleatëve evropianë. Ne me kujdes monitorojmë situatën dhe punojmë me një numër të vendeve anëtare të NATO-s në kete rajon, ne veçanti me ato qe janë vende anëtare te aleances.

Bujar Osmani: Moska po synon që të destabilizojë jo vetëm shtetet fqinje me Ukrainën, por edhe ato të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi synimin kryesor që të realizojmë objektivat që do t’i shpalosim në samitin e liderëve në Uashington në muajin korrik. Qëllimi i Maqedonisë së Veriut është që të rrisë investimet në mbrojtje në masën 15% deri në vitin 2025. Jemi të përkushtuar po ashtu për forcimin e mbështetjes për Ukrainën, e cila po përballet me sfidat e agresionit rus.

Sipas ekspertëve të NATO-s parashikohet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të arrijnë në vitin 2024 objektivin e Aleancës për shpenzimet për mbrojtjen në masën prej 2% të PBB. Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut është e krahasueshme me tendencat në vendet e tjera anëtare të NATO-s. Çështja e rritjes së shpenzimeve ushtarake të shteteve anëtare të NATO-s ka marrë vëmendje të madhe pas zgjedhjes së Donald Trump në Shtetet e Bashkuara në vitin 2016, dhe më pas, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Klan News