Trupat ruse filluan kundërofensivën në rajonin perëndimor Kursk të Rusisë me qëllim për të çliruar territoret e pushtuara nga ushtria ukrainase. Ky zhvillim sipas presidentit Zelensky vjen sipas parashikimeve të Kievit.

“Rusët filluan veprime kundërsulmuese. Kjo shkon sipas planit tonë. Sa i përket Bjellorusisë: kemi parë prej një kohe të gjatë grumbullimin e forcave, situata është nën kontroll”.

Në frontin ukrainas, dronët rusë shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike të qytetit verior Konotop ku në një sulm gjatë natës u plagosën të paktën 14 vetë dhe energjia elektrike u ndërpre, sipas zyrtarëve lokalë.

Ndërsa në vijën e parë të frontit në rajonin e Donetskut, bombardimet ruse lanë të vrarë tre punonjës ukrainas të Kryqit të Kuq, dy të tjerë u plagosën.

Ukraina akuzoi Rusinë të enjten për goditjen e një anije civile të transportit të grurit. Sulmi me raketa ndodhi në ujërat e Detit të Zi pranë Rumanisë anëtare të NATO-s, duke përshkallëzuar tensionet midis Moskës dhe aleancës ushtarake. Anija civile ka për destinacion Egjiptin.

Përshkallëzimi i luftimeve nga Rusia në disa fronte përfshirë rikthimin e sulmeve ndaj anijeve në Detin e Zi ndodh pas marrjes së një sasie të re raketash balistike. Si kundërpërgjigje, ShBA-ja dhe Britania e Madhe pritet të njoftojnë heqjen e kufizimeve ndaj ushtrisë ukrainase për përdorimin e raketave me rreze të gjatë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken iku nga Ukraina pa e dhënë një konfirmim të tillë, por edhe në Poloninë fqinje ku vazhdoi turneun rajonal, u përball me thirrjet për ta lejuar Ukrainën të godasë me raketat amerikane e britanike thellë territorin rus.

Diskutimet për një çështje të tillë vijojnë edhe në Uashington.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin, i bindur se Ukraina do të marrë autorizim, paralajmëroi se një veprim i tillë do të thotë se Rusia hyn në luftë me vendet e NATO-s. Nuk është hera e parë që kreu rus lëshon paralajmërime të tilla, që në Perëndim janë konsideruar retorikë për përdorim të brendshëm.

Klan News