Dritan Nano dhe Dorian Alia të cilët akuzohen për dhunën ndaj avokatit Sokol Mëngjesi do të qëndrojnë në arrest në burg. Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë për t’i lënë në qeli.

Në seancën gjyqësore që zgjati rreth 90 minuta, dy të pandehurit nuk i pranuan akuzat. Dritan Nano i cili konsiderohet nga policia se ka organizuar sulmin ndaj avokatit Mëngjesi, deklaroi në sallën e gjyqit se nuk ka patur dijeni për dhunën. Ndërsa dhëndri i tij, Dorian Alia ndryshe nga deklarata në polici tha se e ka parë rastësisht avokatin dhe e ka goditur, duke mohuar kështu organizmin e sulmit.

Pas pretendimeve të tyre dhe argumenteve të policisë, gjyqtarja Marinela Osmani vendosi të lërë në masën shtrënguese arrest në burg.

Për Nanon dhe Alinë, por edhe tre të tjerët që janë në kërkim, prokuroria ri-kualifikoi veprën penale. Nga akuza e vrasjes së funksionarëve publik e mbetur në tentativë që e referoi policia, prokuroria e dërgoi në gjykatë për plagosje të rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim dhe kundërshtim dhe goditje e gjyqtarit gjithashtu në bashkëpunim.

Akuza e plagosjes së rëndë me dashje sipas kodit penal, dënohet me 3 deri në 10 vite burg ndërsa kundërshtimi dhe goditja e gjyqtari me gjobë deri në 7 vite heqje lirie.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka vijuar kontrollet për kapjen e 3 autorëve të tjerë të shpallur në kërkim për dhunën ndaj Sokol Mëngjesit. Për kapjen e tyre, burime bëjnë me dije se kontrollet janë ushtruar edhe jashtë Tiranës, në disa qytete të vendit ku ka dyshime se fshihen Elton Kasa, Romario Tabaku dhe Drivald Alia.

Prej së mërkurës, avokati Sokol Mëngjesi vijon të jetë i intubuar në Spitalin e Traumës, për shkak të dëmtimeve të marra nga sulmi fizik ndaj tij. Situata e tij shëndetësore po mbahet në monitorim nga mjekët e këtij spitalit, të cilët ende nuk e kanë përcaktuar nëse avokati ka kaluar rrezikun për jetën.

Klan News