Portieri i Slavias Antonín Kinski, është i paduruar për të luajtur me Çekinë. 21 vjeçari u grumbullua për herë të parë nga kombëtarja dhe ai shpreson që të jetë në fushë në takimin kundër Shqipërisë më 11 tetor, që do të luhet në Pragë. Kinski tregon se është në një formë mjaft të mirë.

“U lumturova shumë që mora për herë të parë ftesë për në kombëtare. Mendoj se kjo ka ardhur falë performancës sime të mirë te Slavia. Jam i paduruar për të luajtur në sfidën e radhës!”

Për herë të parë mori ftesë edhe portieri i Viktoria Plzenit, Martin Jedlicka, i cili ndihet gati për të kontribuuar për kombëtaren, pas momenteve të vështira që kaloi për shkak të një sëmundjeje. Ftesën nga kombëtarja, e quan gjënë më të rëndësishme për një futbollist.

Ndërkohë përfaqësuesja çeke ka nisur përgatitjet për dy takimet e Ligës së Kombeve ndaj Shqipërisë dhe Ukrainës. Por trajneri Ivan Hashek është detyruar që të bëj ndryshime në listë. Tre futbollistët Matej Rynesh, Jaroslav Zelenji dhe David Zima, kanë lënë grumbullimin pasi nuk gëzojnë formë të mirë fizike.

Në vend të tyre janë ftuar Jan Boril, Milan Havel, Robin Hranaç dhe Ondrej Zmrzli. Republika Çeke ka 3 pikë pas dy sfidave në Grupin B1, po aq sa edhe Shqipëria. Ndeshja do të transmetohet eksluzivisht në televizonin Klan.

Klan News