Alen Sherri pritet të jetë shqiptari i radhës në Serie A. Portieri kuqezi ka fituar simpatinë e skuadrës italiane të Kaljarit, që sipas mediave ka depozituar edhe ofertë zyrtare.

Duke iu referuar burimeve italiane, skuadra nga Sardenja ka gati 500 mijë euro për kartonin e Sherrit që zotërohet nga Egnatia.

Kampionët e Shqipërisë do ishin gati për të pranuar ofertën, që do e bënte portierin ndër më të kushtueshmit në Superligën shqiptare.

Mes klubeve është arritur akordi dhe në ditët e ardhshme, Sherri pritet të konkretizojë këtë operacion dhe të prezantohet te ekipi i Serie A.

Largimi i 27-vjeçarit pritet të ndodhë pas aventurës së Egnatias në Europë, pasi rrogozhinasit vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Conference League.

Kjo do të jetë aventura e parë e shkodranit jashtë Shqipëria, teksa në të kaluarën ka mbajtur veshur fanellën e Vllaznisë dhe Laçit. Gjithashtu me Kombëtaren ka debutuar në nëntor të vitit 2022.

Klan News