Piloti i Ferrari përfundon në operacion kirurgjikal, debuton një 18-vjeçar

Carlos Sainz do të jetë mungesa e madhe e Çmimit të Madh të Arabisë Saudite. Piloti spanjoll do t’i nënshtrohet një operacioni për të hequr apendicitin, duke humbur kështu pjesëmarrjen në garën e kësaj fundjave.

Ferrari shpreson të rikuperojë Sainz për garën e radhës në Australi, më 28 Mars, por që padyshim, situata do të monitorohet pas ndërhyrjes kirurgjikale. Vendin e spanjollit tek makina e dytë e Ferrari do ta zë, Oliver Bearman, i cili nuk do të marrë pjesë në garat e Formula 2 këtë fundjavë.

Piloti i formuar tek skuadra italiane do të ketë të gjithë vëmendjen në Arabi, pasi do të bëj edhe debutimin për herë të parë në elitën e automobilizmit. Për këtë arsyeje, të gjithë sytë do të jenë të përqendruar tek ai, që në të shkuarën, pikërisht në vitin 2021 ka fituar kampionatin italian dhe gjerman të Formula 4.

Kjo shërbeu si trampolinë, pasi një vit më pas u përzgjodh në Akademinë e Pilotëve të Ferrari. Shumë besojnë se 18-vjeçari anglez është i destinuar për tu bërë superylli i ardhshëm i Formula Një.

Klan News