Jo vetëm në Poloni, Itali apo Spanjë, por paketat turistike për Shqipërinë po kërkohen deri në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman.

Paketat nisin nga 700 Euro për dy persona e deri në 1350 Euro/personi, sipas një monitorimi të revistës “Monitor”, e cila vë në dukje vëmendjen e madhe ndërkombëtare që Shqipëria ka fituar si një destinacion turistik jo vetëm në vendet tashmë të konsoliduara prej vitesh.

Agjenci të ndryshme të huaja anekënd globit po marketojnë vendin tonë si një mundësi për pushimet e verës 2024, madje edhe për vitin 2025, duke dhënë kështu pagesën për paketë, planin e shlyerjes së saj dhe çfarë përfshin ajo.

“Shqipëria klasike, Toka e Shqiponjave”, kështu e nis marketimin një agjenci britanike, e cila ka specifikuar se paketa e pushimeve është e vlefshme deri më shtator 2025 dhe përfshin 7 net.

Konkretisht, pagesa prej 1147 Paund ose 1350 Euro për person.

“Zbuloni kryeqytetin postkomunist, Tiranën dhe të kaluarën e saj me një tur me guidë në pikat më të rëndësishme historike. Zbuloni Rivierën Shqiptare deri në Durrës, ‘Qyteti i Përjetshëm në Adriatik’ dhe bëni një tur në rrënojat antike të ruajtura mirë” thuhet në shpjegimin e ofertës.

Shqipëria si destinacion nuk është vetëm pjesë e paketave që ofrojnë agjencitë lokale në vende të ndryshme, por edhe e agjencive që kanë aktivitet global. Një agjenci e tillë është Interpid që Shqipërinë e ofron kryesisht si paketë rajonale, por sigurisht nuk mungon edhe një paketë më vete.

“Nëse mendoni se e njihni Shqipërinë, mendohuni edhe një herë. Ky vend, që krijon varësi, ka shumëllojshmëri portretesh.”

Në rrjetet sociale, një tjetër agjenci nga Emiratet e Bashkuara Arabe po shet paketa turistike që lidhen me Shqipërinë. Dy janë opsionet që ofron kjo agjenci, ku për fluturimet nga Abu Dhabi, paketa po shitet me çmim zyrtar rreth 885 Euro, por me uljen që aplikohet, paketa është rreth 560 Euro.

Ndërkohë për fluturimet nga Dubai, paketa me çmim zyrtar është rreth 1340 Euro, ndërkohë me çmimin e ofertës ajo mund të blihet për rreth 810 Euro.

“Shqipëria në të gjitha shqisat” është një paketë që ofrohet nga një agjenci në tregun e Omanit. Ky vend është Sulltanat i cili ndodhet në Azinë Perëndimore, është reklama që po përdoret për të tërhequr turistët. Paketa turistike për shtetasit e Omanit parashikon qëndrim 7 net/8 ditë me çmim zyrtar që nis nga 739 Rialë për dy persona. Kjo vlerë është e barabartë me 1783 Euro, duke bërë kështu që të jetë një nga paketat me çmim më të lartë, pas Britanisë.

Në këtë ofertë janë të përfshira fluturimi, hoteli, transferta, aktivitete dhe sigurimi në udhëtim. Po ashtu në të pëfshihet guida anglishtfolëse, udhëtime ditore në Malin e Dajtit, Berat, Shkodër dhe Krujë, Vlorë dhe Durrës e Koman.

Spanja është një tjetër grup që ka fituar peshë të rëndësishme te turizmi i organizuar, por edhe individual në vendin tonë.

Ndërsa agjencitë polake, sipas revistës “Monitor”, që prej vitesh sjellin turistë në formë të organizuar në vendin tonë, duket se nuk kanë më asnjë paketë të lirë deri në fund të shtatorit. Ajo që po shitet në faqen e tyre është pikërisht periudha pas 10-ditëshit të dytë të këtij muaji, pra nga 20 Shtatori e në vijim.

Sa i përket turistëve italianë ata preferojnë të eksplorojnë Shqipërinë në mënyrë individuale, duke mos kërkuar shumë paketat e gatshme, por oferta në vendin fqinj nuk mungon.

Klan News