Komisioni kuvendor i Rendit dhe SHISH-it do të dërgojë deputetë në Ministrinë e Rendit për të verifikuar rrethanat e arrestimit të ish-drejtorit të Policisë së Tiranës, Pjerin Ndreu. Një tjetër argument, ku komisioni do të kërkojë një raport, është përdorimi i forcave speciale në arrestimin e një personi pa rrezikshmëri kriminale.

Neritan Ceka: “Komisioni, i cili e diskutoi që në mbledhjen e djeshme, sot vendosi të kërkojë një shpjegim nga Ministria e Rendit Publik se cili ka qenë roli i ministrisë në këtë arrestim, si janë zbatuar procedurat ligjore, qoftë në formulimin e akuzës, qoftë edhe në veprimet, sepse policia vepron në flagrancë, ndryshe duhet të ndërhyjë prokuroria, por edhe në mënyrën e përdorimit të forcave speciale të cilat u përdorën në rastin e arrestimit të zotit Ndreu. Kështu që, kur të marrim këtë material nga Ministria e Rendit Publik, atëherë komisioni do të vendosë mënyrën se si do të veprojë, ose do të thërrasë ministrin në raport, ose do të shikojmë se si do të vendosë komisioni.”

Dhe më parë ky komision ka kërkuar qëndrime institucionale nga Ministria e Rendit, duke cilësuar deklaratën dhe veprimet e saj si emocionale dhe jo të bazuara në praktika ligjore. /tvklan.al