Pandemia e Covid-19 po shkatërron emocionet e forta që përjetojnë artistët kur nderohen me çmime prestigjioze. Sikurse ka ndodhur edhe me shumë evenimente shumë të rëndësishme që janë shtyrë, organizatorët e çmimeve ‘Tony Awards’ kanë vendosur që ta japin online.

‘Tony Awards’ janë çmimet më të rëndësishme në fushën e teatrit dhe ceremonia çdo vit mbahet në teatrin e famshëm të Broadway.

Ceremonia ishte planifikuar për në 7 Qershor, por rastet në rritje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë që të shtyhej. Për këtë arsye eventi do të mbahet livestream në rrjetet sociale në periudhën e vjeshtës.

Sipas asaj që raporton Reuters mbetet e paqartë data si dhe muaji që do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Që nga viti 2014, ‘Tony Awards’ ndahet në 26 kategori çmimesh në muzikë, regjisorë interpretues etj. dhe është nderimi më i lartë në botën e teatrit amerikan. 

Fati i teatrove në të gjithë botën ende nuk dihet pasi pandemia e Covid-19 ka bllokuar një pjesë të madhe të shfaqjeve dhe shumë shtete nuk kanë marrë asnjë vendim për t’i rihapur. Autoritetet kanë vendosur që Broadway të mbetet i mbyllur deri vitin tjetër.

Kujtojmë se edhe ceremonia e çmimeve Oskar është shtyrë për në Prill të vitit 2021. Jo vetëm kaq, por koronavirusi ka shtyrë edhe një tjetër ceremoni të rëndësishme të filmave atë të Çmimeve Bafta për në 11 Prill 2021. Gjithashtu edhe eventi tjetër Golden Globe është shtyrë, data e të cilit ende nuk është publikuar nga organizatorët.

Klan Plus