Riviera shqiptare vazhdon të zë vend në shkrimet e mediave të huaja. Këtë herë në lupën e së përditshmes britanike “Daily Express” është Himara, një qytet i vogël në bregdetin jugor të vendit me një sërë plazhesh spektakolare siç shkruhet në artikull.
Ajo që vlerësohet është fakti se Himara ka kaq shumë hapësira të paprekura për t’u zbuluar.
Një ndër plazhet që kjo media rekomandon për pushuesit është Plazhi Spile, plazhi kryesor në Himarë, pranë qendrës së qytetit lehtësisht i aksesueshëm me disa nga restorantet më të mira të zonës.
Vizitorët aty janë shprehur entuziastë për shërbimin dhe ushqimin e freskët. Nuk mund të mungojë si sugjerim edhe Gjiri i Akuariumit që cilësohet si “plazhi më i bukur në Himarë”. Blogerët e udhëtimit e kanë përshkruar plazhin e Akuariumit si një copëz e parajsës shqiptare, me rërën e bardhë dhe shkëmbinjtë që krijojnë një liman të vogël.
Qyteti i vjetër i Himarës me shtëpi tradicionale prej guri është një tjetër vend që ia vlen të eksplorohet sipas Daily Express, i vendosur në majë të një kodre shkëmbore me një pamje të mrekullueshme të maleve dhe detit Jon.
Tv Klan