Kuvendi ligjëroi marrëveshjen e firmosur mes socialistëve dhe demokratëeve duke miratuar me shumicë votash projektligjin për listat e zgjedhësve si dhe ndryshimet në kodin zgjedhor, gjë e cila u kundërshtua nga socialdemokrati Gaqo Apostoli, Paskal Milo nga Demokracia Sociale si dhe grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Një dhunim i kushtetutës dhe ne po japim shembullin më të keq që mund të japim si parlamentarë, të cilët duhet të jemi të parët për të mbrojtur kushtetutën dhe kushtetueshmërinëe ligjeve. Ne sot po cënojmë këtë kushtetutë.”

“Gjykoj që neve kohën duhet ta shfrytëzojmë, por duhet të jemi gjthmonë në funksion të ligjit.”

Paskal Milo: “Të gjitha manipulimet dhe vjedhjet e votave, zoti kryetar, kanë ndodhur pikërisht në qendrat e votimit. Aty fillon vjedhja, aty fillon ai që unë do ta quaja ‘maskarallëku’ dhe të dy partitë janë të ndërgjegjshme dhe ato janë që kanë edhe mundësitë më shumë dhe ato janë ngarkuar me përgjegjësi edhe në të kaluarën për të çrregulluar procesin zgjedhor në qendrat e votimit.”

Me kërkesë të ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizmit, afati për listat e zgjedhësve u shty nga 31 janari në 28 shkurt, sepse, sipas ministrit Blushi, ky proces do të mbetej i pjesshëm për mungesë kohe. Parlamenti vendosi që regjistrimi i popullsisë të bëhet sipas qendrave të banimit, ndërkohë që për zgjedhjet e vitit 2005 do të përdoret i ashtuquajturi regjistër i përkohshëm ku do të përfshihen votuesit sipas vendqëndrimit. Kërkesa e opozitës, për të shkaruar krerët e organeve të qeverisjes vendore në rast evidentimi të mosregjistrimit të popullsisë, u rrëzua. Sipas socialistëve, kjo kompetencë është zgjidhur me decentralizimin e pushteteve./tvklan.al