Çështja “Beleri” ndezi sërish Brukselin, ku nga takimi i 17-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, kreu i këtij organi Manolis Kefalogiannis kërkoi shpjegim nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani. Për Greqinë, e cila disa herë ka kërcënuar autoritetet shqiptare me veto sa i përket integrimit europian, kjo është një çështje që tejkalon dy vendet, madje këtë qëndrim e përforcoi nga Tirana edhe kryeministri grek Mitsotakis.

“Është fjala për Fredi Belerin, një kryebashkiak nga minoritetet dhe që i përket opozitës. Pyetja ime lidhet me vendimin e Parlamentit Europian lidhur me lirimin e menjëhershëm ose për mundësinë që ai të betohet, si dhe për lejen që duhet të japë qeveria shqiptare në mënyrë që ai të largohet nga burgu, a ka përparime për këtë vendim dhe a e ka marrë qeveria shqiptare seriozisht letrën që shoqëron opinionin  Këshillit Europian për kursin ekselent të Shqipërisë. Në ç’fazë ndodhet kjo çështje, pasi u zbulua se ata që dy ditë para zgjedhjeve në Himarë denoncuan Fredi Belerin, të njëjtët deklaruan se ai dha para dhe iu ushtruan presionit nga policia shqiptare për të gënjyer e për të thënë se kishin marrë para nga Fredi Beleri”, tha Kefalogiannis.

Në kundërpërgjigje, Ministri Hasani u shpreh se kjo çështje i përket organeve të drejtësisë, të cilat funksionojnë të pavarura nga ekzekutivi.

“Takimi sot nuk është për çështje personale të dikujt. “Beleri” nuk është çështje evropiane, por e organeve të drejtësisë në Shqipëri. Shqipëria pret t’i bashkohet familjes së BE. Koha kur gjykatat trajtohen si përkatësi partiake ka mbaruar”, tha Hasani.

Gjatë takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri,  Ministri Hasani u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave, përfshirë atë të drejtësisë. Sipas kryediplomatit shqiptar, rezultate konkrete janë shënuar nga SPAK, lidhur me hetimet që po kryhen për zyrtarë të lartë, si dhe në sekuestrimin e konfiskimin e aseteve të eksponentëve të krimit të organizuar.

“Ne mezi presim hapin tjetër në negociatat tona të pranimit. Reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi ka vazhduar, duke rezultuar në një progres të mirë në përgjithësi, procesi i vetingut ka vazhduar të përparojë në mënyrë të qëndrueshme, SPAK-u ka vijuar veprimtarinë e tij, veçanërisht duke dhënë disa vendime të rëndësishme përfundimtare për çështje që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë.”

Por duket se nuk ishin vetëm përfaqësuesit grekë ata të cilët folën për ndërhyrje të qeverisë në sistemin e drejtësisë. Edhe dy deputetët e opozitës në këtë takim, Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi folën me shqetësim për kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin, si dhe mohimin e të drejtave kushtetuese të kësaj të fundit për komisionet hetimore.

Tv Klan