Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vendimi për dhënien e dyshtetësisë nga qeveria greke ka nxitur debatin për qëllimin dhe realizimin e tij. Ligjvënësi socialist Spartak Braho tha sot për TV Klan, se marrja e dyshtetësisë është në përputhje me ligjin dhe konventat ndërkombëtare, duke i vlerësuar si me prapavijë politike, deklarimet e kryetarit të PD Sali Berisha, se me këtë vendim mund të krijohen probleme në rajon.

Spartak Braho:- “Është një deklaratë që nga pikëpamja ligjore nuk ka bazë, pasi qytetarët e Europës janë të lirë të marrin kë shtetësi që duan, por jo të lënë shtetësinë që disponojnë. Kështu që dyshojë që kjo deklaratë bëhet e nxitur nga qarqe të caktuara politike greke, të cilat në kushtet e zgjedhjeve të reja bëjnë numërimin edhe të votave të emigrantëve, që do të marrin shtetësinë greke”.

Sakaq kryetari i PBDNJ Vangjel Dule thotë se dyshtetësia nuk bie ndesh me ligjin dhe konventat ndërkombëtare. Dule shton se në Europë, sot po shkohet drejt dyshtetësisë.

Vangjel Dule:- “Besoj se në Europën e sotme është e drejtë e çdo qytetari të ketë edhe dy edhe më shumë shtetësi, mjafton që kjo të jetë në frymën e mirëkuptimit dhe e rregulluar në bazë të kësaj konvente dhe legjislacioneve të vendeve të ndryshme, me qëllim që të drejtat dhe detyrimet e një qytetari me dy ose shumë shtetësi të jenë të garantuara në të gjitha këto vende që ai gëzon këtë status”.

Një ditë më parë, Berisha i kërkoi Asamblesë së Këshillit të Europës, që të ndikonte në tërheqjen e vendimit të qeverisë së Athinës. Sipas zotit Berisha dhënia e dyshtetësisë vërtetë mund të bënte nënshtetas grekë disa qytetarë shqiptarë, por kjo do të pasohej nga një sërë vendimesh të ngjashme në vendet e rajonit ende të brishtë./tvklan.al