Qeveria e re serbe ka prishur traditën e miqësisë së viteve të fundit me Shqipërinë duke u përfshirë në polemika rreth takimit të kryeministrit Rama me emigrantët në Athinë. Pas deklaratave provokuese të zv. Kryeministrit, Aleksandër Vulin MEPJ ka thërritur në takim Ambasadorin serb Slobodan Vukčević duke i kërkuar atij sqarime.

I shpalluri “non grata” nga SHBA tashmë numri dy i qeverisë në Beograd Aleksandër Vulin kritikoi Greqinë që lejoi mbajtjen e mitingut të Ramës. Madje ai ftoi qeverinë greke që të formojë një aleancë anti-shqiptare me Serbinë.

Me tone ironike Vulin tha se njohja e Kosovës nga autoritetet greke dhe pranimi i saj në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Për Vulin vetëm bota serbe e ndal Shqipërinë e Madhe.

Këto deklarata sipas Tiranës zyrtare bien në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria sipas dikasterit që drejtohet nga Igli Hasani është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë.

MEPJ po pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, të cilat sipas kësaj ministrie duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian.

Klan News