Deputeti demokristian Nikollë Lesi dënon aktet e dhunshme ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi ndërsa po festonin fitoren e kuqezinjve ndaj kampionëve të Evropës. Ai ka kërkuar që kryeministri Nano dhe parlamenti shqiptar të mbajnë qëndrim ndaj qeverisë greke për këtë incident.

Nikollë Lesi: “Të gjithë shqiptarët e ndienë nga brenda fitoren e Greqisë si kampione e Evropës dhe vërtet janë gëzuar, kam parë njerëz në Trianë që ishin të gëzuar si një shtet fqinj, ndërsa ndodhi e kundërta në një makabër shumë të egër ku ka shumë viktima. Deri tani informacionet vijnë për dy të vrarë dhe shumë të plagosur nga policia dhe nga tifozët grekë ndaj emigrantëve shqiptarë, pra është një akt aspak civil dhe aspak miqësor dhe që duhet të reagojë medoemos qeveria shqiptare. Kryeministri Fatos Nano për të treguar që është kryeministri i shqiptarëve, duhet të reagojë medoemos ndaj qeverisë greke dhe ndaj akteve që mund të jenë më të dhunshme në ditët në vazhdim ndaj emigrantëve shqiptarë.”

Edhe lëvizja “MJAFT!” ka protestuar ndaj akteve të dhunshme të një nate më parë.

“Fatkeqësisht kjo vjen mbas një sërë aktesh të tilla të dhunshme që kanë ndodhur qoftë në kufirin shqiptaro-grek apo edhe në qytete greke, të cilat kanë ndodhur qoftë nga forcat policore apo edhe nga individë grekë. Jo më kot neve dje kemi vendosur një parrullë gjatë ndeshjes në të cilën dënonim këto akte ksenofobie. Është detyra e qeverisë shqiptare që të tregohet po aq aktive sa edhe dje kur festonte fitoren e ndeshjes ndaj Greqisë. Është detyra e kësaj qeverie që të kërkojë fajtorët të zgjidhë këto probleme, të sigurohet që këto akte të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen.”

Për deputetin e Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut situata e tensionuar ishte paralajmëruar në Greqi.

Kristo Goxhi: “Një urim për skuadrën kombëtare shqiptare, e cila zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer dje kundër kampiones së Evropës dhe e merituan fitoren. Kurse për problemet e dhunës në qoftë se ka pasur në Greqi dhe mund të kenë pasur nga polica, di që që përpara sesa të zhvillohej ndeshja ka pasur informacione që në Shqipëri, në stadium do të ketë një klimë jo dhe kaq miqësore karshi skuadrës greke dhe duhet që policia të kujdeset. Në qoftë se do të fitonte skuadra shqiptare, do të kishte manifestime në Greqi dhe policia greke duhet të ketë kujdes që të mos ketë përplasje midis tifozave grekë dhe shqiptarë. Sigurisht në grumbullimet e mëdha të njerëzve policia e ka pak të vështirë t’i kontrollojë të gjithë njerëzit, por të paktën policia ka në dorë që të kontrollojë anën e etiketës së stadiumit. Policia nuk e ka në dorë ndoshta që të mos fishkëllehej himni kombëtar grek, që është një simbol kombëtar ashtu siç duam neve që himni kombëtar shqiptar të mos fishkëllehet nesër në Athinë, por të paktën ato parrullat me indeks nacionalist që ishin dje në stadium, për mendimin tim, ishte mirë që të mos ishin shfaqur atje. Secili, në qoftë se ka probleme politike, mund t’i zgjidhë diku tjetër, sepse janë të gjithë instrumentet e shtetit, por jo në stadium.”

Gazetarja: “Mendoni zoti Goxhi se kjo ka nxitur edhe urrejtjen te forcat e policisë greke dhe te tifozët grekë?”

Kristo Goxhi: “Po, jam i sigurt, fishkëllimi i himnit kombëtar dhe parrullat nacionaliste që ishin në stadium mendoj se ka qenë një nga arsyet që mund të ketë pasur dhunë në manifestimin e ligjshëm të shqiptarëve.”

Partia Demokratike përshëndeti fitoren e një nate më parë, por nuk komentoi incidentet e regjistruara ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi. /tvklan.al