Deputetët demokratë, Pollo, Vejsiu, Shehu, Meksi, Demi e Xhaferri nuk janë përjashtuar ende nga Partia. Ata kanë shkelur vendimet politike të PD-së me pjesëmarrjen në Parlament në seancën e votëbesimit të kabinetit të ri qeveritar. Por fatin e tyre e kanë në dorë forumet drejtuese demokrate që do mblidhen së shpejti ka deklaruar kryetari i grupit parlamentar demokrat Jemin Gjana.

Jemin Gjana: Është thënë që do të mblidhet dhe të gjykohet e të analizohet qëndrimi që është mbajtur, asgjë më shumë se kaq.

Gazetari: Megjithatë ata deklarojnë që një vendim i kryesisë nuk është vendim politik imponues ndaj deputetëve, duhet të kishte marrë një vendim nga këshilli kombëtar?

Jemin Gjana: Nuk ka qënë një vendim politik i rëndësisë së tille që të mblidhej këshilli kombëtar për ta gjykuar, ai ishte një vendim që mund ta gjykonte dhe vetë grupi parlamentar, qëlloi që kryesia e partisë u mblodh para se të mblidhej këshilli kombëtar …… gjërat s’janë të prera kaq me thikë për ti gjykuar dhe për ti ndarë.

Gazetari: Megjithatë në diskutimet e tyre nuk gjetën ndonjë gjë të përbashkët, kërkuan zgjedhje, kundërshtuan Qeverinë Meta ?

Jemin Gjana: Nëqoftëse është puna kështu unë mendoj që të gjitha ato diskutime që qenë kundër atij kabineti unë mendoj që ishin një hije ose një kopje e atij diskutimi që unë mbajta në emër të dy grupeve parlamentare.

Leonard Demi: Këto janë mbeturina të politikave të kaluara, të sistemeve të kaluara të cilat herë pas here reflektohen në disa qëndrime dhe i përkasin së shkuarës politike në Shqipëri.

Gazetari: Nëse përjashtoheni nga PD-ja cili do jetë aktiviteti juaj i mëtejshëm politik?

Leonard Demi :Që të përjashtohesh nga PD-ja në bazë të statutit do të thotë që ti shkelësh vijën politike të saj. Ne jo vetëm që nuk kemi shkelur vijën politike, por kemi vepruar në bazë të vijës politike të PD-së të cilën e kemi shfaqur në Parlament dhe e kanë dëgjuar dhe parë të gjithë populli shqiptar./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame