Lajme Arkiva 2003

Dëshmitarë të ngjarjeve të rënda kriminale nuk mbrohen nga shteti shqiptar pasi mungon një ligj i veçantë. Raporti i fundit i departamentit amerikan të shtetit dhe raporti i OSBE-së në Tiranë kanë vënë alarmin për raste ku kryesisht trafikantë të grave dhe të fëmijëve nuk dënohen nga drejtësia pasi viktimat e tyre tremben për të dëshmuar.

Gazetarja: Mendoni se është vonuar ky ligj në legjislacionin shqiptar ndërkohë që ka pasur mjaft raste të kriminalitetit të rëndë ku kërkoheshin dëshmitarë?

“Jo, nuk është i vonuar. Ne e kemi thënë edhe herë tjetër se ky ligj pa mbështetjen e ndërkombëtarëve do të ishte një ligj fiktiv sepse brenda Shqipërisë është shumë e vështirë për të rregulluar marrëdhënie të tilla për mbrojtjen e dëshmitarë apo të viktimës të veprës penale, pasi vendi ynë është shumë i vogël dhe ka vështirësi praktike për një ligj të tillë”.

Deri në miratimin e këtij ligji, qeveria shqiptare dhe organizmat e huaja në vend do të marrin në mbrojtje shtetasit që dëshmojnë duke garantuar edhe strehimin e tyre jashtë vendit. Për këtë me ndërmjetësim të përfaqësuesit të OSBE-së për Shqipërinë drejtori i anti-krimit në Prokurorinë e Përgjithshme, përfaqësues të Ministrisë së Rendit, drejtësisë dhe ekonomisë, kanë nënshkruar një memorandum për ngritjen e menjëhershme të strukturave për marrjen në mbrojtje të dëshmitarëve të tij./tvklan.al