Në nisje të një turi inspektimesh në bregdetin e vendit Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u ndal në Dhërmi. Kumbaro ka nënvizuar rëndësinë e ridimensionimit estetik, veçanërisht në zonat ku ndahen hapësirat publike nga ato private me qëllimin për të mos u përdorur nga këto të fundit si venddepozitime mbetjesh.

Ministrja theksoi se “do të jemi të vendosur me IKMT-në dhe me bashkinë për të pastruar gjithë ndarjet e hapësirave private nga hapësirat publike dhe do të detyrohen të gjitha bizneset të bashkëpunojnë në këtë aspekt”.

Sipas saj, “nuk mund të kemi një hotel shumë të bukur dhe një gardh shumë të shëmtuar, kështu që këtë proces do të duhet ta mbyllim brenda kësaj jave”.

Në këtë inspektim, ministrja Kumbaro, e shoqëruar nga prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo dhe kryetarja e bashkisë Himarë Blerina Bala paralajmëroi ashpërsimin e kontrolleve dhe i bëri thirrje bashkisë Himarë të marrë masa urgjente ndaj bizneseve që nuk i përgjigjen rregullave për ndalimin e punimeve në fundjavë dhe gjatë pikut të sezonit, sikundër atyre që ndosin hapësirat publike.

Klan News