Nisma më e fundit e qeverisë shqiptare për faljen e kamatëvonesave për biznesin është përshëndetur nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, por krahas saj përfaqësuesit e biznesit kërkuan edhe legalizimin e aseteve çka do të ndihmonin këta të fundit në marrjen e kredive nëpërmjet deklarimit të pronave që zotërojnë.

Gjok Uldedaj: “Bëhet fjalë për legalizimin e aseteve në bilance. Ka ardhur momenti që në të saktësojmë kapitalet e shoqërive për të bërë dhe vlerësimin e kompanive, vlerësimi bazë, i cili fillon nga kapitali. Gjendet një formulë që këto asete të legalizohen, që të rritet sipërfaqja e kontaktit edhe me sistemin bankar që kompanitë të kreditohen referuar aseteve të veta”.

Krahas bashkëpunimit me pushtetin qendror drejtuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë kërkuan gjithashtu dhe përmirësimin e marrëdhënieve me pushtetin vendor.

Gjok Uldedaj: “Nuk është normale që të nxitohet dhe të punohet me forma dhe metoda selektive nga bashkia për t’u rënë atyre bizneseve, të cilat tanimë janë, i kanë mbyllur procedurat e legalizimit dhe janë në pritje”.

Kujtim Kapollari: “Në momentin që ne po flasim janë prekur interesat e shumë biznesmenëve, ndaç të vegjël, ndaç dhe të mëdhenj, që një ndër ta jam dhe unë. Vetëdeklarimi im është prej 300-400 mijë eurosh. Menduam të bëjmë diçka të bukur, por policia ndërtimore ose inspektorati i ndërtimit ka propozuar…në mënyrë jo të saktë sikur ky vetëdeklarim është pa leje dhe duhet prishur”.

Duke paraqitur ankesat e disa bizneseve përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë kanë kërkuar nga bashkia që të ndërpresin prishjet derisa aluizni të shprehet./tvklan.al