Pritet që dy javët e ardhshme të jenë të mbushura me shumë tension në klubin e Manchester City. Më në fund pas një pune 6-vjeçare do të nisë procesi gjyqësor mes klubit kampion dhe Premier League. City akuzohet për shkelje të rregullave të Fair Play Financiar në 115 raste.

Akuzat përfshijnë mosdeklarimin e informacionit financiar për nëntë sezone, detaje jo të plota rreth pagës së Roberto Mancinit në katër vitet që ai ishte trajner dhe mosparaqitjen e plotë të pagës së lojtarëve. Kampionët e Anglisë u akuzuan gjithashtu për mosbashkëpunim me hetimin dhe dështimin për të dorëzuar dokumentet e kërkuara për pesë sezone.

Siç raporton gazeta britanike The Times, kjo betejë ligjore duhet të zgjasë rreth dy javë me një verdikt përfundimtar që do të vijë deri në fund të Shtatorit lidhur me rastin e sponsorizimit. Përsa i përket, shkeljeve të tjera, procedimet pritet të arrijnë një gjykim deri në fund të vitit. Nëse konfirmohen akuzat më të rënda, City rrezikon rënien në Championship, kategoria e dytë e futbollit në Angli.

City gjithmonë ka mohuar çdo akuzë. Premier League nisi një hetim mbi City-n në vitin 2018 pas publikimit të dokumenteve të Football Leaks nga faqja gjermane Der Spiegel, duke përfshirë kopje të kontratës së Mancinit, marrëveshje për të drejtat e imazhit të futbollistëve dhe emaile të shumta që tregonin se pronarët e Cityt kishin paguar paratë e sponsorizimit në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Tv Klan