Gjyqi lidhur me vdekjen e Diego Armando Maradonës, i cili u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare më 25 nëntor 2020, ka filluar në Gjykatën e San Isidros. Avokati që përfaqëson vajzat e kampionit argjentinas, Fernando Burlando, synon që të identifikojë jo vetëm ata që janë përgjegjës për vdekjen e tij, por edhe arsyen e vërtetë të ngjarjes tragjike.

“Nuk më bind që njerëzit e lidhur me shëndetin e Diegos janë realisht ata vërtetë të interesuar për ta vrarë atë. Ka një interes të qartë pas”, tha avokati.

Ndërsa me një mesazh në rrjetet sociale, vajzat e ikonës argjentinase të futbollit, Dalma dhe Giannina e bënë të qartë: “Nuk do të ndalemi kurrë”.

Prokuroria lokale kërkoi një inspektim në shtëpinë në Buenos Aires, ku ish-kampioni i Napolit jetoi ditët e fundit të jetës në kushte kritike pas operacionit delikat. Ndër të akuzuarit janë neurokirurgu Leopoldo Lukee, psikiatrja Agustina Cosachov, psikologu Carlos Díaz, doktoresha Nancy Forlin, koordinatori i infermierisë Mariano Perroni, infermieret Ricardo Omar Almirón dhe Dahiana Gisela Madrid, si dhe mjeku i përgjithshëm Pedro Di Spagna.

Maradona konsiderohet si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave nga një pjesë e tifozerisë në botë, ndërsa në Argjentinë është kthyer në një legjendë. Për nder të tij, klubi i Napolit e ka riquajtur stadiumin “Diego Armando Maradona”.

Klan News