Pas shumë javësh spekulime, Barcelona ka gati edhe detajet e fundit për Dani Olmon. Katalanasit kanë përcaktuar tashmë edhe datën e prezantimit të futbollistit, i cili do rikthehet në Spanjë pas 10 vitesh

Sipas mediave spanjolle, ai do të “zbarkojë” te Barcelona të premten e 9 Gushtit. Ceremonia e prezantimit të lojtarit do të zbulojë edhe numrin që golashënuesi i Euro2024 do mbaj në këtë aventurë të re. Olmo parashikohet të marrë numrin 20, të mbetur bosh pas largimit të ish-kapitenit, Sergi Roberto.

Kartoni i 25-vjeçarit do i kushtojë në total 62 milionë euro arkave të Barcelonës, me Lajpzig që ka rënë dakord për pagesën prej 55 milionë eurosh fikse dhe 7 milionë të tjera që do të mbërrijnë në formën e bonusit.

Olmo duket se ka rënë dakord për të firmosur për 6 vite me Barcelonën të paktën deri në 2030. Ajo që mbetet për tu vendosur është vetëm koha e debutimit. Gjasat janë që ai të mund të luaj finalen e trofeut Gamper kundër Monakos, teksa të sigurta do të ishin minutat në ndeshjen e parë të sezonit, kundër Valencias.

Klan News