“Diskriminimi për shkak të aftësisë së kufizuar, gjendjes ekonomike, gjendjes arsimore si dhe bindjeve politike kryesojnë ankesat e shqiptarëve për vitin 2023”, thotë gazetarja e Tv Klan, Dorina Halili.

Të dhënat e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi tregojnë se në vitin e shkuar numri i ankuesve burra është më i lartë se ankueset gra. Sociologia Eris Dhamo thotë se shkak janë disa faktorë.

“Ky liberalizimi i tanishëm dhe të sjellit jo në mënyrën etike të dëshirueshme dhe mosreflektimi i parimeve të humanitetit, që ka pak humbje në shoqërinë tonë dhe aq më tepër përkrahja e modeleve jo edukative kanë ndikuar për të qenë një shoqëri diskriminuese”, thotë sociologia.

Në vitin 2023 janë regjistruar 272 ankesa nga individë, organizata dhe grupe personash, 65 më shumë sesa në vitin 2022. Kjo për sociologët reflekton ndërgjegjësimin e shoqërisë për kërkimin e të drejtave.

“Kjo për mua vlen shumë herë më tepër për t’u vlerësuar, sepse është tregues i një shoqërie më të emancipuar, tregues i disa individëve që janë të ndërgjegjshëm mbi të drejtat e tyre e aq më tepër dinë dhe mënyrën sesi të adresojnë diskriminimin”, shton Dhamo.

Për ekspertët duhet rikthyer vëmendja tek edukimi.

“Emancipimi i një shoqërie vjen përmes arsimimit dhe edukimit, kështu që ti rikthehemi këtyre dy dimensioneve”, vijon ajo.

Tirana, Shkodra, Korça, Durrësi dhe Vlora janë bashkitë me numrin më të lartë të ankesave me pretendim diskriminimin.

Tv Klan