Një dekadë pas vizitës historike të Papa Françeskut në Tiranë, Ati i Shenjtë i është drejtuar rinisë shqiptare, me një mesazh që promovon paqen dhe shpresën, teksa po mbahet për herë të parë në shqipëri MED24, një iniciativë e Papa Françeskut për të bashkuar të rinjtë e Mesdheut.

Imzot Arjan Dodaj, ka prezantuar para të rinjve këtë vdeo mesazh të Atit të Shenjtë drejtuar të rinjve shqiptare, ku Papa Françesku thekson rëndësinë e bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit ndërfetar, duke i bërë thirrje të rinjve shqiptarë të vazhdojnë të jenë një shembull i mirë për rajonin dhe botën.

“Është për mua gëzim të di që ju jeni mbledhur në Tiranë, pikërisht 10 vjet pas vizitës sime në vendin tuaj të dashur, në vitin 2014. Nuk mund ta harroj dhe kujtohem për atë udhëtim të paharrueshëm, ku kam mundur të takoj popullin tuaj, një popull me larmishmëri portretesh, por i bashkuar nga kuraja. Siç ju thoja atëherë të rinjve: – “Ju jeni breznia e re e Shqipërisë”, – shtoj sot të dashur të rinj të pesë brigjeve të Mesdheut: – “Ju, breznia e re, jeni e ardhmja e rajonit të Mesdheut”. Të gjithë jemi shtegtarë të shpresës, që ecim në kërkim të së vërtetës, duke e jetuar fenë tonë ndërsa ndërtojmë paqen – e Paqja duhet të ndërtohet”.

Ati i Shenjtë tha gjithashtu se, takimi MED24 është një mundësi për të ndërtuar ura të reja dialogu dhe për të promovuar paqen dhe drejtësinë në rajonin e Mesdheut.

“Mësoni së bashku që të lexoni shenjat e kohës. Soditni ndryshimin e traditave tuaja si një pasuri, të kërkuar nga Hyji. Uniteti nuk është uniformitet dhe diversiteti i identiteteve tona kulturore dhe fetare është një dhuratë e Hyjit.  Pra, Unitet në Diversitet! Lejoni të rriteni në vlerësimin reciprok, siç dëshmojnë të parët tuaj. Vendosni në qendër zërat e atyre, që nuk dëgjohen”.

Për herë të parë në Shqipëri po mbahet takimi ndërkombëtar MED24 në Tiranë, një ngjarje e rëndësishme, që sjell së bashku të rinj dhe ipeshkvinj nga vendet e Mesdheut dhe Detit të Zi.

Shqipëria, e njohur për modelin e saj unik të harmonisë fetare, është zgjedhur për të pritur këtë takim historik, duke ofruar një shembull frymëzues për rajonin.

Pjesëmarrësit në MED24 po bashkëpunojnë në sesione pune dhe vizita kulturore, për të mësuar më shumë rreth harmonisë fetare të Shqipërisë dhe për të diskutuar mundësitë e reja për paqe dhe bashkëpunim.

Tv Klan