Pushimet verore morën fund sot me ditën e parë të vitit shkollor. Gumëzhitja në kultin e dijes ka nisur që në mëngjes. 63.000 nxënës do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ndërkohë që qindra të tjerë frekuentojnë ciklin 8-vjeçare dhe të mesëm. Porsa u përket fëmijëve në kopshte numri i tyre është 70.000.

Këtë fillim viti Ministria e Arsimit bën bilancin e regjistrimeve. Në gjimnazet e kryeqytetit është shtuar mjaft numri i nxënësve në klasa pasi gjithkush ka preferuar regjistrimin e fëmijëve në shkollën afër shtëpisë.

Simbolika e dhurimit të luleve ditën e parë nuk është harruar po kështu edhe veshja ende nuk është bërë uniformë. Të gjithë sot kanë zgjedhur rrobat më të bukura mundësisht edhe të reja.

Për disa në ditën e parë është dashur të marrin nga shtëpia stol ose karrige, pasi të paktën në shkollën “Emin Duraku” ka patur mungesa në vende.

Drejtoresha e shkollës: Shkolla jonë ka dyndje nxënësish. Klasat e para janë klasa që duhet të kenë 25 maksimumi 28 nxënës dhe numri i nxënësve aty është 3. Ne u kemi thënë që kush vjen të marri dhe një karrige me vete se numri i karrigeve dhe tavolinave lë për të dëshiruar. Janë mangët. Kemi vënë re se disa prej prindërve erdhën me karrige, disa të tjerë erdhën me stola.

Atmosferë më ndryshe sot është parë në shkollat private. Për ta drejtuesit kishin përgatitur program mirëseardhjeje. Në shkollën “Viktor Hygo” franko-shqiptare, e cila funksionon edhe si kopsht, të vegjlit do të kenë mundësi të mësojnë edhe frëngjisht megjithëse paguhet, për prindërit ia vlen.

Prind: Pothuajse studiova gjithë zonën këtu me shkolla private dhe e vendosa që këtu është më e përshtatshme për fëmijën tim. Për kushtet, për cilësinë e gatimit dhe e para që është frëngjisht sepse gjuhët e tjera i dimë. Them se do mësoj edhe unë pas fëmijës tim./tvklan.al