Dy të rinjtë u arrestuan në flagrancë në qytetin e Sarandës në fshatin Berdenesh

Dy persona ranë në prangat e policisë së Sarandës paraditen e të dielës. Ndalimi i tyre nga blutë u bë pasi dyshohet se do të shisnin armë zjarri dhe municion luftarak. Në kuadër të operacionit “Srike 8” në dy vende të ndryshme të fshatit Berdenesh u arrestua Eduart Musej dhe Evidoned Shahini.

Shërbime e komisariatit të policisë së Sarandës, pas kontrollit në automjetin tip “Audi” që 34-vjeçari Musej drejtonte, gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 krehër me municion luftarak të cilat dyshohet se do t’i shiste po në këtë qytet.

Nga veprimet hetimore të policisë, 31-vjeçari Shahini dyshohet se do ndihmonte Musejn për të shitur armën e zjarrit. Ai u ndalua në një tjetër automjet tip “Ford”.

Shitja e armëve të zjarrit rezultoi një fenomen shqetësues përgjatë muajit Mars.

Në të gjithë vendin nga 1 Marsi deri më 31, policia bëri të mundur sekuestrimin e 53 armëve të zjarrit që do trafikoheshin ose do t’i shiteshin kontigjentit kriminal si dhe sasi shumë të mëdha fishekësh të kalibrave të ndryshëm.

Tre baza nga të cilat furnizoheshin grupet kriminale me armë, municion, mjete dhe sende kamuflimi për të kryer krime të rënda u goditën në Durrës dhe Vlorë.

Gjithashtu edhe në kryeqytet u zbulua një tjetër rast i transportimit me qëllim shitjen grupeve kriminale të një numri të madh armësh e municioni luftarak.

Klan News