Disa punonjës të Ujësjellësit të Rrogozhinës kanë denoncuar në “Stop” se drejtori, Skënder Dedej, u kërkon të plotësojnë disa formularë me gjeneralitetet dhe numrin e kartës së identitetit, duke treguar edhe partinë, për të cilën do të votojnë.

“Unë punoj prej shumë vitesh në ndërmarrjen e Ujësjellësit këtu në Rrogozhinë. Me ardhjen e drejtorit të ri kanë filluar reprezaljet. Na bën presione për votat, na ka sjellë disa fleta t’i plotësojmë. Gjithë rrethin e krushqisë e  këto që t’i fusim për votime. Madje në një nga ato fletët  është specifikuar kë votoni. Na bën presione për punën. Kanë filluar presionet për gjëra të ndryshme. Për largim nga puna etj. Madje ai nuk ka as arsimin përkatës sepse është futur pa konkurs në atë pozicion”, tha një denoncues.  

“Stop” ka mësuar, se drejtori Dedej nuk e ka shkollën e lartë, që e ka të detyrueshme për vendin e punës. Kur gazetari i emisionit “Stop” e pyet drejtorin për arsimin e lartë, Skënder Dedej thotë, se ka mbaruar Ekonomikun dhe jo Inxhinierinë Mekanike, siç është shkruar në vendimin e emërimit në vitin 2019.

Gazetari: Ne po interesohemi për postin tuaj të drejtorit, d.m.th sa kohë keni në këtë post? Është bërë me konkurs? Arsimin tuaj të lartë?

Drejtori UKRr, Skënder Dedej: Unë, sa për këtë, shkoni tek kryetarja e Bashkisë Rrogozhinë. Kam hyrë me konkurs me kryetaren e Bashkisë Rrogozhinë. Më kupton? Kam një jetë të tërë, që merrem me ujësjellësin.

Gazetari: A jeni specialist…? Ke arsim të mesëm, apo të lartë?

Skënder Dedej: Të lartë!

Gazetari: Për çfarë keni mbaruar?

Skënder Dedej: Unë kam mbaruar për ekonomist.

Gazetari: Ekonomist?

Skënder Dedej: Po …edhe jam marrë me specializime për ujësjellësat.

Mirëpo “Stop” verifikon në Bashkinë e Rrogozhinës procedurën e emërimit, ku thuhet, se drejtori është emëruar pa konkurs, ndryshe nga sa thotë, vetë zoti Dedej. Sipas informacioneve zyrtare Dedej thuhet se ka përfunduar shkollën e lartë për Inxhinieri Mekanike në vitin 1996 ndryshe nga ç’pretendoi ai para gazetarit të “Stop”./tvklan.al