Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Petro Gjikuria ka dhënë një deklaratë për shtyp pas mbylljes së procesit të votimit. Si fillim, ai falenderoi të gjithë mbështetësit e tij brenda e jashtë partisë dhe tha se tashmë himariotët kanë dhënë verdiktin e tyre.

Gjikuria e parashikon veten fitues të zgjedhjeve në Himarë. Sipas tij,  himariotët kanë parë shpresën në fytyrën e tij ndaj është besimplotë se ka marrë votën e tyre. Sa i përket ftesës së rivalit, Vangjel Tavos për të qëndruar në Shqipëri, Gjikuria tha se “Tavo është i mirëpritur të punojë për të”.

Petro Gjikuria: Dua t’ju them se unë do të jem këtu, do të fillojë numërimi i kutive, himariotët kanë verdiktin e tyre, himariotët folën, tani na ka ngelur të numërojmë kutitë dhe mendoj se asnjeri s’do t’i prekë këto kuti se janë kutitë e votimit të cilat himariotët votuan për djalin e tyre të nesërmen, kush do të jetë kryetari i bashkisë. Unë ju falenderoj të gjithëve. Unë do të jem këtu edhe nesër, të punoj  për himariotët, të punojmë, të çojmë programin tonë deri në fund.

-A do t’i pranoni rezultatet e zgjedhjeve?

Petro Gjikuria: Tani duhet të dini një gjë që këtu , në këtë fushatë kishin zbritur pothuajse gjithë administrata shtetërore  e cila me presione dhe kërcënime kanë frikësuar një pjesë të himariotëve, por himariotët janë nga ata që edhe kërcënimet nuk  tremben, erdhën, treguan veten e tyre në kutitë e votimit dhe pjesëmarrja ishte një përqindje pak më e lartë, pothuajse 10%. Kjo tregon se himariotët nuk e ulin kokën. Sa më shumë presion u bën, aq më shumë revoltohen.  Çfarëdo rezultati të jetë, do të shihen ato që janë regjistruar, ato shkeljet që janë bërë. Edhe ajo është puna e KQZ-së të  marrë vendime,  nuk është puna ime.

-Do ta pranoni ftesën e z. Tavo  në rast se nuk shpalleni fitues?

Petro Gjikuria: Unë do të pranoj verdiktin që kanë dhënë himariotët.

-A do të pranoni rezultatin?

Petro Gjikuria: Rezultati është verdikti, verdikti çfarë kanë votuar.

-A mendoni se ka pasur  manipulim?

Petro Gjikuria: Ato do t’i mësojmë në ditët në vazhdim,  por kërcënime  dhe presione ka pasur shumë, siç edhe ju vetë e keni parë, gjithë administrata, ministra, deputetë, kanë qenë këtu, i kam parë edhe vetë,  i kanë parë edhe të tjerët. Ata kanë punën e tyre, unë kam punën time, bëra një punë të pastër, me sinqeritet. Punova vetëm për himariotët. Qëllimi im kryesor është  të punoj për himariotët, t’u jap atyre një shpresë. Duke parë himariotët që shihnin te fytyra ime një shpresë ajo më ka prekur në shpirt, këtu njerëzit duan diçka që u ka munguar për 12 vjet. E panë në fytyrën time dhe kjo më jep një gëzim shumë të madh.

-Do  e pranoni ftesën e z. Tavo, do të qëndroni në Shqipëri?

Petro Gjikuria: Unë do të jem fitues dhe Tavo po të dojë të vijë të punojë për mua është i mirëpritur. Unë jam fitues i kësaj gare, jam fitues se himariotët më kanë besuar, jam i sigurt se më kanë besuar me votën e  tyre./tvklan.al