Është mbyllur pa probleme procesi i votimit të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Himarës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një njoftim zyrtar e cilësoi procesin e 4 gushtit të qetë.

Në zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024, votuan 8678 zgjedhës, ose 37.69% e totalit të 23.074 zgjedhësve në listë. Kjo është një shifër 4 përqind më e lartë se zgjedhjet e shkuara të 14 majit.

Zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht dhe sistemi PEI sipas KQZ ka rezultuar krejt i suksesshëm.

Në garën për kreun e bashkisë janë Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria i koalicionit opozitar, “Bashkë Fitojmë”.

Rreth një orë më parë kanë mbërritur kutitë e 36 qendrave të votimit. KZAZ nuk konstatoi asnjë kuti të parregullt dhe përmbylli procesin e dorëzimit të materialeve zgjedhore nga KQV. Tashmë për pak pritet të nisë procesi i numërimit.

Tv Klan