Lajme Arkiva 2003

Këto zgjedhje janë shansi i fundit për Partinë Socialiste, nuk mund të pranohen më zgjedhje si ato të vitit 2001. Kjo është esenca e intervistave të dhëna në shtypin shqiptar, nga kryetarja e Komisionit të Jashtëm parlamentar Doris Pack vetëm 4 ditë përpara zgjedhjeve.

Jashtë korracës diplomatike, Doris Pack ka thënë se politikanët shqiptarë dhe socialistët në veçanti duhet të kuptojnë se viti 2001, ishte hera e fundit për të bërë gabime në zgjedhje.

 Në tetor duhen respektuar principet demokratike , përndryshe ata do të humbasin kredibilitetin e mbetur ndërsa Shqipëria rrezikon integrimin në Bashkimin Evropian.

Pack pranon se është shumë vonë për të rregulluar problemet e shfaqura në procesin zgjedhor, si situata ne Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, financimi i vonuar i partive politike, roli i policisë, por shpreson se rezultati i këtyre rrugëve, të mos çojë në zhvillimin e një procesi rrugor të papranueshëm.

Pack paralajmëron hapur se autoritetet duhet të bëjnë shumë kujdes sepse këto zgjedhje janë shansi i fundit për ta.

Zonja Pack nuk ka kursyer as ambasadorin e prezencës së OSBE-së, Osmo Lipponen. Sipas saj OSBE-ja dhe autoritetet në vend kanë patur kohën e duhur për të bërë një kod të mirë zgjedhor ndaj është e papranueshëm që ata flasin për përmirësime të këtij kodi pas zgjedhjeve.

Pack ka dhënë si mesazh kryesor që politikanët  të pranojnë të gjithë rregullat për të kryer zgjedhje të rregullta dhe jo si ato të vitit 2001. Ajo shpreson që ky mesazh të kuptohet përndryshe do të jetë më keq me politikanët shqiptar fatkeqësisht më keq akoma për popullin shqiptar./tvklan.al