Drejtori i përgjithshëm i kompanisë celulare AMC-së Stefanos Oktapodas ka pritur sot skuadrën tonë pjesëmarrëse në “Lojërat Olimpike Athina 2004”. Pasi ka falënderuar olimpikasit shqiptarë Oktapodas është ndalur në një çështje delikate siç ishte dhuna e ushtruar nga qytetarë dhe policë me uniformë greke mbi emigrantët shqiptarë të cilët festonin fitoren e kombëtares shqiptare ndaj asaj helene.

Stefanos Oktapodas: “Sikurse e dimë, një djalë i ri humb jetën e tij. Me këtë rast dua sot t’i shpreh ngushëllimet e mia famlijes së 20 -vjeçarit Palushi i cili u vra para pak ditësh teksa festonte fitoren e ekipit shqiptar. Në të njëjtën kohë dua t’i dënoj publikisht aktet e dhunës së qytetarëve grekë mbi emigrantët shqiptarë. Shqipëria dhe Greqia janë dy shtete fqinj dhe nuk mund t’i ndërrojmë vendndodhjen, Greqinë ta çojmë diku e Shqipërinë gjetkë. Duhen gjetur,- tha ai,- rrugët e bashkëjetesës, tolerancës dhe fqinjësisë së mirë.”

Stefanos Oktapodas është një biznesmen grek që ushtron prej vitesh biznesin e tij në Shqipëri duke drejtuar një nga kompanitë më të mëdha celulare në vend siç është AMC. Ai thotë se ndihet shumë mirë mes shqiptarëve. Gjatë këtyre viteve ai ka krijuar një shoqëri shumë të ngushtë dhe ka gjetur miq të vërtetë këtu. /tvklan.al