Lajme Arkiva 2003

Në përvjetorin e krijimit të policisë drejtoria e qarkut të Elbasanit kanë përkujtuar efektivët të cilët kanë rënë në krye të detyrës. 29 punonjës të policisë kanë qenë viktima të krimit që nga viti 1913, kohë në të cilën daton krijimi i policisë së shtetit.

Dy prej tyre Ismail Ziko dhe Kristaq Bregu janë ekzekutuar nga kriminelët gjatë trazirave në vitin 1997.

Ministria e Rendit Publik nuk ka publikuar ndonjë shifër të përgjithshme për numrin e të rënëve që nga themelimi i policisë shqiptare. Megjithatë vetëm numri i policëve të vrarë dhjetë vitet e fundit është tronditës.

Janë thuajse 160 uniforma blu të vrarë në krye të detyrë. Pjesa më e madhe janë ekzekutuar në postblloqe të rrugëve kryesore që lidhin qytetet me njëri tjetrin veçanërisht pas vitit ’97.

Vetëm në Urën Vajgurore janë qëlluar nga pjesëtarë bandash të armatosura disa punonjës policie, po aq e rëndë ka qenë edhe vrasja e kolonel Arben Zylyftarit në atë kohë drejtor i policisë së qarkut të Shkodrës, ndërkohë që edhe në Tropojë  kanë rënë në prita apo atentate efektiva që cilësoheshin si ndër më të përgatiturit e policisë së shtetit.

Disa prej tyre janë shpallur tashmë dëshmorë të atdheut dhe janë nderuar me dekret të presidentit me dekorata për merita të veçanta./tvklan.al