Nëse synon të fitosh syno majën më të lartë.

Ky ishte pak a shumë mesazhi i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka për ekipin kombëtar të futbollit që do të na përfaqësojë në Euro 2024.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, Duka i tha stafit të kombëtares dhe futbollistëve që shqiptarët duan t’i bëjnë pushimet këtë vit në Gjermani deri më 14 Korrik që është edhe dita kur do të zhvillohet finalja e kompeticionit.

“Me një inkurajim dhe duartrokitje të fortë dua t’i uroj suksese ekipit tonë kombëtar në Gjermani. Unë dua t’i them Sylvinho-s, stafit të tij dhe gjithë futbollistëve që ne shqiptarët duam t’i bëjmë pushimet këtë vit në Gjermani deri në 14 korrik”, tha ai.

Shqipëria ka shanset e saj. Në grupin e kualifikueseve dolëm të parët për shkak edhe të lojërave spektakolare. Shorti tregoi që ne ishim në një grup të vështirë pasi 3 ekipe u kualifikuan në Europian, pra bashkë me Shqipërinë edhe Çekia e Polonia.

Por tashmë sytë janë nga grupi i hekurt. Duka tha se kuqezinjtë nuk kanë frikë askënd, madje vlerësojnë kundërshtarët e fortë, por janë gati për t’i sfiduar. I rëndësishëm sipas tij është fakti që Shqipëria del e fituar nga kampionati europian.

“Përballë në grup kemi kundërshtarë të sprovuar dhe jemi sfidantët e grupit të hekurt siç e quan e gjithë bota e futbollit në euro 2024. Ne nuk kemi frikë askënd dhe këtë e kemi treguar me lojën tonë. Sigurisht kemi vlerësim për kundërshtarët e fortë, por jemi gati për t’i sfiduar duke dhënë më të mirën me Shqiponjën në kraharor dhe me himnin në zemër me qëllimin e vetëm për t’u kthyer fitimtarë. Cilido të jetë rezultati ne do të fitojmë nga ky kampoinat europian. Dhe po nuk ia dolëm për 1001 arsye e rëndësishme është të mbajmë kokën lart për të treguar vlerat tona kombëtare dhe duke bërë krenar të gjithë shqiptarët që do të na mbështesin qoftë në stadiumet e Gjermanisë apo nëpërmjet ekranit të televizionit”, tha Duka.

Kujtojmë se ndeshjet e Europianit do të mund t’i ndiqni në ekranin e Tv Klan duke filluar nga 14 Qershori./tvklan.al