Zhvillohet këtë të hënë Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Futbollit. Presidenti i saj, Armand Duka, u shpreh se federata e futbollit ka synime dhe objektive të qarta që ta fusë Shqipërinë në hartën e vendeve të zhvilluara sa i përket futbollit.

Pas finales së Conference League, fitimit të drejtës për Europianin e U17 në vitin 2025, Shqipëria synon të organizojë Euro 2027 për moshën 21-vjeçare.

Ai u shpreh se Shqipëria aplikoi si konkurrent më vete, por shanset për ta fituar e vetme janë shumë të vogla. Për këtë arsye FSHF do të bashkëpunojë me Serbinë duke qenë se përballë kanë kandidatë të tjerë si Belgjika apo Turqia.

Duka theksoi se do donte që të kishte edhe zgjidhje të tjera në rajon, si Kosova, por ata nuk kanë aplikuar brenda kohës së vendosur dhe as nuk plotësojnë kriteret e infrastrukturës. Sipas Dukës, organizimi i këtij turneu ka interes të drejtpërdrejtë për vendin si dhe jep mesazhe paqeje në rajonin tonë.

“Konkurruam më vete”

“Dëshira jonë e madhe, por edhe interesi kombëtar ka qenë të rrisim nivelin e kompeticioneve. Ndaj kërkuam që të organizojmë finalet e kampionatit europian 2027 për moshën 21 vjeç, çka përbën dhe arritjen më të madhe për mundësitë tona aktuale. Ne aplikuam si konkurrentë më vete, brenda afatit të përcaktuar nga UEFA. Aplikuan dhe Serbia, Belgjika dhe Turqia. Shanset për të fituar i vetëm këtë kompeticion ishin shumë të vogla, si për ne, ashtu edhe për Serbinë, për arsye të gjendjes aktuale të infrastrukturës”.

“Do donim zgjidhje të tjera si Kosova”

Do donim shumë të kishim edhe zgjidhe të tjera, por Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera fqinje as nuk plotësojnë kriteret e infrastrukturës, por as nuk kishin aplikuar brenda kohës së vendosur. Për organizimin e këtij turneu kemi interes të drejtpërdrejt dhe jo vetëm për imazh, por edhe për eksperiencë. Së pari siç e thashë në fillim, ne i bëmë një shërbim të madh vendit, konfirmojmë futjen e Shqipërisë në hartën e vendeve të sigurta e me aftësi të larta organizative, kuptohet nëpërmjet FSHF-së. Së dyti ekipi ynë kualifikohet automatikisht si pjesëmarrës në turneun final të këtij kompeticioni”.

“Jemi menduar gjatë për bashkëpunimin me Serbinë”

Jemi menduar gjatë para se të vendosnim për të bashkëpunuar për Euro 2027 me federatën serbe. Cili më mirë se futbolli mund të japë mesazhe paqeje, civilizimi, tolerance, bashkëpunimi e bashkëjetese që janë aq të nevojshme në këtë periudhë tensionesh, kur luftërat nuk janë më imazhe filmash, por janë realitet i trishtë që kërcënon njerëzimin. Tashmë ky kërcënim po afrohet kaq shumë sa të gjithë duhet të bëjmë përpjekjet tona për ta minimizuar atë. Mesazhi që japim në këtë rast është i paqes, bashkëpunimit dhe tolerancës”, tha Duka.

Sipas Presidentit të FSHF-së kjo i shërben edhe çështjes së njohjes së Kosovës. Në këtë mënyrë i ktheu një përgjigje edhe kritikëve pas publikimit të lajmeve për bashkëpunimin me Serbinë për Euro 2027.

“Ky është një mesazh europian që na bën edhe më shumë europianë siç aspirojmë të jemi. Një mesazh që vlen dhe nuk mund të zbehet nga mjaullimat e demagogëve të veshur me kostumin e pseudopatriotit që s’lenë rast pa shfaqur protagonizmin mjeran nëpër blogjet dhe komentet e tyre fyese. Kjo është e vlefshme dhe kombëtare. Të tjerat s’kanë vlerë dhe janë retorika boshe.

“Qëndroj pranë Kosovës në çdo hap që hedhin”

Konfirmoj qëndrimin tim konseguent në lidhje me Kosovën. Ka qenë i pandryshueshëm nga dita e parë për gjatë gjithë periudhës që drejtoj FSHF ka bërë maksimumin për ta mbështetur futbollin kosovar dhe federatën e Kosovës me veprime dhe projekte konkrete kur ajo nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s.

Kam lobuar fuqishëm për njohjen e saj në UEFA dhe në FIFA deri në pranimin me të drejta të plota. I kam qëndruar pranë dhe do të vazhdoj ta bëj në çdo hap që hedhin drejt përparimit dhe suksesit dhe ju garantoj që marrëdhëniet janë më shumë se vëllazërore”, tha Duka./tvklan.al