Rreth 1 muaj pasi u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, Durim Bami arrestohet në Dubai. 45-vjeçari u ndalua pas shkëmbimit të informacionit nga Interpol Tirana me atë të Abu Dhabit.

Durim Bami u ndalua fillimisht me të vëllain Valter Bami, dhe pas verifikimit të gjurmëve të gishtërinjve dhe të dhënave të dosjes së dërguar nga policia shqiptare, iu komunikua masa e arrestit. Ndërsa i vëllai u la i lirë për shkak se nuk kërkohet nga drejtësia shqiptare.

Durim Bami u shpall në kërkim gjatë operacionit “Revanshi”, pasi doli në bisedat e aplikacionit Sky. 45-vjeçari planifikonte vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka, Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit.

Nga ana tjetër ndaj Durim Bamit ishin vënë në ndjekje dhe bashkëpunonin, 16 persona. Sipas komunikimeve të zbardhura nga Prokuroria e Posaçme, grupet kriminale kishin vendosur deri në 1 milionë euro shpërblim për vrasjen e tij.

Përveç krijimit të kushteve për të kryer vrasje Bami akuzohet edhe për kultivim të bimëve narkotike. Sipas SPAK, Bami dyshohet se bashkëpunoi me ish-efektivin e RENEA, Altin Morina për të mbjellë kanabis në zonën e Niklës.

Ndaj Durim Bamit, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg pasi dyshohet për kryerjen e disa veprave të rënda penale si: “Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale për te kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kultivim i lëndëve narkotike”. Për ta çuar para drejtësisë 45-vjeçarin nëpërmjet ekstradimit, Interpol Tirana ka nisur shkëmbimin e të dhënave me Interpol Abu Dhabin. K

jo pritet të jetë e vështirë pasi Shqipëria nuk ka marrëveshje me Dubain, edhe pse autoritetet shqiptare do përpiqen të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë, duke përfshirë edhe partnerët e Interpol.