Një tërmet i rrallë me magnitudë 4.8 ka goditur shtetin amerikan të New Jerseyt. Goditjet janë ndjerë gjithashtu edhe në shumë shtete të tjera, përfshirë New Yorkun.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se epiqendra e tërmetit me magnitudë 4.8 ishte në veri-lindje të Stacionit Whitehouse, New Jersey. Për momentin, nuk raportohet për humbje jetësh apo dëme të mëdha.

Përdoruesit e mediave sociale raportuan se e ndjenin tërmetin nga Filadelfia deri në New York dhe në lindje përgjatë bregut. Gjithashtu, një takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën në selinë e tij në New York u ndërpre përkohësisht për shkak të tërmetit.

“A është tërmet?” tha përfaqësuesja e “Save the Children”, Janti Soeripto, e cila po fliste në momentin kur ndërtesa u godit nga tërmeti.

Disa nga aeroporte në SHBA kanë ndërprerë funksionimin për shkak të tërmetit në mënyrë që ekuipazhet të vlerësojnë dëmet në aeroport dhe pista.

Tërmetet janë të rrallë në Bregun Lindor të Amerikës dhe ky është më i fuqishmi i ndjerë në New York në 40 vjet./tvklan.al