Partia Demokratike nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve lokale të 1 tetorit. Ky është deklarimi zyrtar nga selia blu bërë publik sot pasdite nga zëdhënësi Edi Paloka pavarësisht nga mosrakordimi që mësohet të ketë pasur brenda kryesisë së kësaj partie. Sipas Partisë Demokratike, këto zgjedhje ishin një farsë e shëmtuar elektorale, e pandershme dhe më të padrejtat në historinë e pluralizmit shqiptar.

“Partia Demokratike ka deklaruar prej kohësh se nuk do të njohë asnjë rezultat të dalë nga zgjedhje jo të lira. Ashtu siç ka bërë të njohur dhe publikisht faktorin ndërkombëtar dhe opinionit vetëm një ditë përpara zgjedhjeve se shanset për zgjedhje të lira në 1 tetor janë afër zeros. Partia Demokratike në këto kushte i konsideron si të pavlefshme çdo rezultat të dalë nga një shkallë kaq e lartë manipulimi. Ajo bën totalisht përgjegjës për këtë situatë Qeverinë Meta dhe krerët e Partisë Socialiste mbi të cilën do të bien të gjitha pasojat për këtë proces.”

Partia Demokratike pretendon se manipulimi është bërë me masën 30%-40% mbi listat e zgjedhësve. Qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike është bërë i ditur vetëm nga zëdhënësi i kësaj partie ndërsa kryetari Berisha prej 24 orësh nuk ka dalë në publik./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego