Titujt kryesorë 25 Mars 2010, ora 19:30

Socialistët në mesditë në Kuvend, pasdite në bojkot

Socialistët vijojnë të jenë të mjegullt në qëndrimet e tyre. Kryesocialisti Rama deklaroi në mesditë se kjo forcë politike do të jetë në Kuvend për të bërë betejë për transparencën e zgjedhjeve, por pasdite socialistët e braktisën Kuvendin, duke iu rikthyer sërish bojkotit.

PPE: Nuk ka bojkot në demokraci, PS t’i drejtohet gjykatës

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentit të Parlamentit Europian dhe i kryetarit të grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, të cilët thonë se bojkoti nuk ekziston në demokraci dhe se socialistët duhet t’i drejtohen gjykatës për pretendimet e tyre për zgjedhjet.

Vizat, Berisha: Mbështetja e BE për arritjet tona është evidente

Kryeministri Berisha deklaroi në Bruksel, pas takimit me liderët e Partive Popullore Europiane, se mbështetja e Bashkimit Europian për arritjet e Shqipërisë në procesin e plotësimit të kushteve për heqjen e vizave është evidente.

Statusi i vendit kandidat, qeveria plotëson pyetësorin e BE

Brenda pak ditësh, qeveria shqiptare do të ketë në dorë të plotësuar pyetësorin e Bashkimit Europian, çka do t’i shërbejë Brukselit të japë opinionin e vet për aspiratën e Shqipërisë për vendin kandidat në familjen e përbashkët europiane.

Arrest gazetarit të “Fiks Fare”, i vuri gjobë doganierit në Kakavie

Policia e Gjirokastrës kërkon arrestimin e një gazetari të “Fiks Fare” në Top Channel, që akuzohet për gjobvënie dhe shantazh ndaj një doganori ne Kakavie. Sipas policisë së Gjirokastrës, ai ka kërkuar 1500 euro kundrejt mospublikimit të një materiali në këtë emision.

Dhuna në stadium, presidenti i Burrelit rrezikon 3 vjet burg

Presidenti i klubit të futbollit Burreli rrezikon të dënohet deri në 3 vjet burg pas ushtrimit të dhunës për shkak të detyrës. Murat Koliqi u arrestua dje, pasi në ndeshjen e skuadrës së tij me Librazhdin ai goditi vëzhguesin e takimit Sazan Velcani.

Edicioni i lajmeve Tv Klan – 25 Mars 2010, ora 19:30 – Spikere: Sonila Meço