Ekspertët ligjorë mendojnë se kufizimi i imunitetit të deputetëve, por dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë kërkon ndërhyrjen në Kushtetutë. Spiro Peçi anëtarë i komisionit të ligjeve, shprehet se kjo është mënyra e vetme për të konkretizuar nismën e mazhorancës demokrate, por të mbështetur dhe ditët e fundit edhe nga socialistët.

Spiro Peçi: “Rruga e vetme për realizimin e këtyre deklaratave dhe mendimeve të shfaqura nga të gjitha forcat politike, është vetëm nëpërmjet Kushtetutës. Imunitetit sot jepet me kushtetutë. Çdo ligj që del me kundërshtim me nenin 73 të kushtetutës nuk mund të funksionojë”.

Por edhe vetë demokratët nuk e hedhin poshtë këtë variant kryetari i komisionit të ligjeve Fatos Beja, deklaron se nëse arrihet konsensusi me opozitën, atëherë mund të bëhet një amendim i Kushtetutës.

Fatos Beja: “Nuk përjashtohet çdo ndryshim ligjorë që do të gjykohet i nevojshëm për të arritur qëllimin”.

Nëse varianti për të amenduar kushtetutën për kufizimin e imunitetit, do të përqafohet nga të gjitha forcat politike atëherë do të shënojë ndërhyrja e 3 në librin themeltarë të shtetit brenda 1 viti. Muajin e shkuar me një votim të unifikuar u miratuan ndryshimet kushtetuese për 5 nene, përfshirë këtu mënyrën e zgjedhjes së presidentit si dhe sistemin zgjedhor./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka