Ky është momenti kur 3 agjentë të Interpol Tirana marrin në dorëzim nga autoritetet marokene portugezin Ruben Saraiva, vrasësin e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje kjo e regjistruar më 19 prill në Shëngjin.

Foto e siguruar është fiksuar sapo Saraiva dhe 3 agjentët po hipnin në avion përpara nisjes nga Maroku. Operacioni është finalizuar nga Interpol Tirana dhe shënon një tjetër rast të ekstradimit të shtetasve të kërkuar nga vendet me të cilat Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.

Megjithatë për këtë janë dashur 7 muaj negociata, që kanë bindur autoritetet marokene, për të dhënë dritën jeshile. Ruben Saraiva pritet të mbërrijë në Tiranë brenda 24 orëve të ardhshme, e më pas do të përballet me akuzat e ngritura nga drejtësia shqiptare.

Për të njëjtën ngjarje që akuzohet vrasësi portugez, janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia që dyshohet si porositës. Edhe për këta të fundit autoritetet shqiptare kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e tyre nga Britania në Shqipëri.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër në qytetin e Lezhës prej më shumë se dy dekadash.

Tv Klan