Lajme Arkiva 2003

Elbasani dhe periferitë e tij rrezikojnë të mbesin pa ujë të pijshme pasi kompania shqiptare-gjermane e ujësjellësit nuk paguan faturat e energjisë elektrike. Ndodhur përballë një situate të vështirë financiare SH.A Elektriku në Elbasan ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimin me energji të pompave të ujit.

Shuma që Elberi detyrohet SH.A. Elektrikut është plot 24 milionë lekë të reja. Pak ditë më parë drejtoria e elektrikut e bëri prezent shqetësimin në një takim të zhvilluar në prefekturë.

Më pas drejtori i elektrikut Nikollë Tuka ju drejtua  me një shkresë zyrtare homologun  të tij gjerman Majkëll Luterberg. Por përgjigjja ishte negative, madje drejtori i kompanisë akuzon qendrën spitalore “Xhafer Kongoli” për situatën e krijuar.

Sipas tij qendra spitalore nuk i ka paguar prej kohësh faturat e ujit Elber, ndaj kjo kompani nuk ka para ti paguajë KESH-it.

Sot elektriku vuri në dijeni të gjitha strukturat përgjegjëse përfshi edhe prefekturën se është i detyruar të ndërpresë energji në stacionin e pompave në ditët në vazhdim nëse Elber nuk paguan shumën e konsumuar.

Ndërmarrja e KESH dha shenjën e parë të seriozitetit të këtij paralajmërimi. Sot ndërpreu furnizimin me energji në zyrat e Elber./tvklan.al