Alketi ka ndier gjithnjë mall për familjen e tij sepse prej moshës 12-vjeçare është larguar fillimisht në Greqi e më pas në Angli ku jeton prej 26 vjetësh. Ai u shpreh në “Ka Një Mesazh Për Ty” se s’ka qenë kurrë i ngopur me dashurinë e prindërve, me të afërmit dhe gjatë mungesës së tij, ka humbur shumë prej tyre.

Dëshira më e madhe e Alketit ka qenë që t’i ftonte të dy prindërit në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, por fatkeqësisht, babai ka ndërruar jetë. Me lot në sy, ai tregon momentin e humbjes së tij dhe kujtimin e të atit që jeton ende përmes vajzës së tij 16-vjeçare.

Alket: Me babanë, siç thashë, unë jetoj në Angli dhe kur i ra infarkt, ka qenë në spital dhe direkt, tani e kemi shumë të lehtë dhe i hipim avionit brenda ditës, për 3 orë jemi në Shqipëri, nuk është më siç ka qenë më parë.

Ardit Gjebrea: E mbërrite babin?

Alket: E mbërrita, me gocën sidomos… me gocën time, goca është 16 vjeçe…

Ardit Gjebrea: Ke një vajzë 16 vjeçe?

Alket: Po. Ajo është shumë e lidhur me babanë tim, ka qenë e lidhur me babanë tim…

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin goca?

Alket: Elisia Demir Muskaj.

Ardit Gjebrea: Elisia?

Alket: Elisia Demir, është me dy emra, ka emrin e babait.

Ardit Gjebrea: Ah, i ke vënë emrin e babait!

Alket: Po, nusja kur ka lindur donte që t’ia vinte emrin Demira gocës. Nusja ime është angleze dhe donte t’ia vinte emrin gocës Demir dhe unë i kam thënë jo nuk ia vëmë dot Demir sepse ne nga anët tona nëse një njeri jeton, nuk ia vëmë dot emrin vajzës.

Ardit Gjebrea: Pra kur është gjallë dhe jeton, nuk ia vënë emrin. Vetëm në rast se humbet.

Alket: Po dhe i kemi vënë emrin e dytë. Në atë kohë që kam marrë vesh që babait tim i ka ndodhur kjo, direkt kam prerë biletën, kam shkuar në shtëpi duke qarë, goca ishte aty, më thotë “çfarë ka ndodhur?” S’doja t’ia tregoja, doja të vija vetë në Shqipëri, vetëm. Ajo e mori vesh, më tha “do më tregosh se s’bën”, ia tregova, më tha që “ti nuk do ikësh vetëm në Shqipëri, po s’erdha unë, as ti nuk do të ikësh”./tvklan.al