Elton John po përballet me një infeksion të rëndë që i ka prekur njërin nga sytë duke i shkaktuar kështu shikim të kufizuar këngëtarit 77-vjeçar.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë artisti përmes një postimi në “Instagram”, ku tha se po rikuperohet nga infeksioni në njërin sy, por shtoi se shërimi i tij i plotë mund të marrë disa kohë.

“Gjatë verës, jam përballur me një infeksion të rëndë të syrit që fatkeqësisht më ka lënë vetëm me shikim të kufizuar në njërin sy. Jam duke u shëruar, por është një proces shumë i ngadaltë dhe do të duhet pak kohë para se shikimi të kthehet në syrin e prekur nga infeksioni.”

Më tej në postimin e tij, John shkruan se e ka kaluar në heshtje këtë infeksion gjatë verës, ndërsa tani tregon se po ndjen që procesi i shërimit duket pozitiv.

“Unë e kam kaluar në heshtje verën duke u rikuperuar në shtëpi dhe po ndihem pozitiv për përparimin që kam bërë në shërimin dhe rimëkëmbjen time deri më tani. Jam shumë mirënjohës për ekipin e shkëlqyer të mjekëve dhe infermierëve dhe familjen time, të cilët janë kujdesur kaq mirë për mua gjatë disa javëve të fundit.”

Yje të shumtë iu përgjigjën postimit duke i uruar shërimit të shpejtë artistit, mes tyre stilistja Donatella Versace, prezantuesi i radios Bob Harris dhe aktori Layton Williams./tvklan.al