Lajme Arkiva 2003

Ethet hemorragjike shënojnë të vdekurin e parë në Shqipëri pas afro dy vitesh. Në shërbimin e infektimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pak ditë më parë ka vdekur një 35 vjeçare nga Kukësi. Mjekët e këtij spitali sqarojnë se vetëm pasi mbërritën përgjigjet e analizave nga Greqia u vërtetua që 35 vjeçarja ishte prekur nga ethet hemorragjike.

Aktualisht të dyshuar si të prekur nga kjo sëmundje në spitalin e infektivit qëndrojnë të shtruar edhe dy të afërm të viktimës. Mjekja infeksioniste në shërbimin infektiv tregon shenjat e sëmundjes dhe se si transmetohet ajo.

Mjekja: Shenja kryesore të kësaj sëmundje janë temperaturë e lartë, dhimbje muskujsh injektim ose skuqje të syve, dhimbje të forta koke dhe pastaj fenomenet hemorragjike, hemorragji nga goja, nga zrra e trashë, nga urina, nga individi në individ mund  të transmetohet vetëm në momentet kur fillon hemorragjia. Domethënë gjaku është një nga transmetuesit kryesor i sëmundjes, i personit që bie në kontakt me gjakun e infektuar nëse ka dëmtime të lëkurës ose nëpërmjet mukozave mund të infektohet me këtë sëmundje.

 Sëmundja prek kryesisht moshat e reja mbi 18 vjeç dhe në Ballkan është shfaqur në formën e virusit. Ethet hemorragjike janë shfaqur për herë të parë në vendin tonë në vitin 1988. Shkaktarë të saj janë brejtësit, sidomos minjtë, por dhe një lloj insekti i quajtur rriqna. Sëmundja e radhë është shfaqur kryesisht në veri të vendit në zonën e Hasit./tvklan.al