Finale totalisht mbretërore do të jetë finalja e edicionit të 17-të në Kampionatit Europian. Anglia vuajti për të eliminuar me përmbysje 2-1 Holandën, duke prerë kështu biletën për në fazën e fundit të Euro2024, aty ku e pret Spanja. Edhe pse e gjetën veten në disavantazh të një goli pas 7 minutash lojë, anglezët arritën të gjenin fitoren.

Xavi Simons realizoi pasi rrëmbeu topin në mbrojtjen kundërshtare për të shënuan golin e dytë më të shpejtë në këtë fazë të një kampionati Europian. Gjithsesi, reagimi i Anglisë ishte i shpejtë. Harry Kane fitoi penallti në të 18-ën minutë.

Nga 11 metërshi, ishte vetë kapiteni anglez ai që u tregua i saktë për tu bërë lojtari i tretë më më shumë gola në këtë kompeticion. Deri më tani ai ka shënuar 6 herë në 17 paraqitjet e tij, duke qenë edhe lojtari me më shumë prezenca tek Anglezët.

Pavarësisht rasteve, pjesa e parë u mbyll në barazim, ndërsa në fraksionin e dytë, teknikët ndërhynë nga stoli. Zgjedhja e Watkins në vend të Kane rezultoi efikase për Gareth Southgate. Në pak prekje të tij të topit, sulmuesi shënoi për të dërguar Anglinë për herë të dytë radhazi në finalen e Europianit.

Akti final do të luhet këtë të dielën në Berlin, emocionet e së cilës ashtu siç edhe të gjithë kompeticionit janë përjetuar ekskluzivisht në ekranin e Tv Klan dhe Klan Radio.

Klan News