Policia gjermane parandaloi një sulm të mundshëm terroris të ISIS pak orë para finales së Euro 2024. Mediat raportojnë se policia kreu bastisje në disa adresa në qytetin e afërt të Potsdamit, pasi kishte të dhëna për se një ngjarje terroriste kishte si objektiv tifozët e Anglisë.

Forcat Speciale Gjermane arrestuan tre të dyshuar teksa në kërkim ishin pesë. Personat kishin qenë nën hetim disa ditë para finales, ndërsa tashmë janë lënë të lirë. Autoritetet besojnë se këta persona ishin mbështetës të njohur të organizatës ISIS.

Ndërkohë, Policia Franceze po shton operacionet e saj të sigurisë përpara Lojërave Olimpike në Paris. Ceremonia e hapjes është caktuar për të premten e ardhshme dhe pritet që të vihen në veprim një operacion në shkallë tejet të gjerë për sigurinë.

Qentë që nuhasin bomba po kontrollojnë varkat, baret lundruese dhe ambiente të tjera rreth lumit Senë. Një ekip me 30 qen është përdorur për të kryer këto kontrolle. Efektivë policie nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Austria dhe Rumania dhe qentë e tyre nuhatës iu bashkuan inspektimeve të lumit.

Për herë të parë, ceremonia e hapjes nuk do të bëhet në stadium. Në vend të kësaj, dhjetëra varka do të transportojnë mijëra atletë në një paradë lundruese 6 km në lumin e Parisit. Rreth 45,000 policë do të angazhohen për të garantuar sigurinë e ceremonisë, duke përfshirë forcat speciale. Snajperët do të vendosen në majë të ndërtesave përgjatë rrugës. Një sistem anti-drone do të jetë aktiv.

Tv Klan