Fatmir Sejdiu: “Shprehëm keqardhje që asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë një mendim këshillëdhënës në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ne dhe përkrahësit tanë të shumtë ndërkombëtarë kemi thënë vazhdimisht se çështja e pavarësisë së Kosovës është zgjidhur dhe është e pakthyeshme. E kuptojmë të drejtën e asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që të bëjë këtë referim, ndonëse ky vendim nuk do t’i ndihmojë përpjekjet për të promovuar stabilitet afatgjatë në Kosovë dhe rajon. Çfarëdo që gjykata të thotë në fund në lidhje me pyetjen e cila është parashtruar ne do të ndjekim rrugën e zhvillimit dhe të përparimit të Kosovës së pavarur së bashku me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Kemi filluar procesin e anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore dhe do të punojmë aktivisht për njohjet më tepër bilaterale nëpërmjet aktivitetit diplomatik dhe aktivitetit ndërkombëtar të sektorëve të ndryshëm të shoqërisë sonë, të shoqërisë së Kosovës”.

Hashim Thaçi: “Mendoj se vetë realiteti i ardhshëm i njohjeve për pavarësinë e Kosovës do të jetë përgjigja më e mirë për idenë e keqe të Beogradit, pra njohjet do të vazhdojnë, bile dhe Beogradi do të befasohet dhe do të nervozohet. Beogradi i ka vu vetes një barrë të madhe që nuk do të mund ta çojë në rrugën për integrim në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO dhe mendoj se ka qenë, po aq sa ka qenë për Kosovën një ide e keqe, po aq do të ketë boomerang edhe për vetë Beogradin”./tvklan.al