Lajme Arkiva 2003

Kryeministri Fatos Nano ka kërkuar ndihmën e rektorëve të universiteteve për të realizuar me sukses reformën në arsimin e lartë. Në një takim me përfaqësuesit e jetës akademike në vend kryeministri Nano ka kërkuar të njihet më qartë me synimet e rektorëve dhe dekanëve në lidhje me autonominë e universiteteve.

Fatos Nano:Nuk mund të mos theksoj se sot ende shteti financon rreth 92% të shpenzimeve për arsimin e lartë dhe për këtë shkak pranë universiteteve janë shtruar një numër pyetjesh thelbësore siç është domosdoshmëria e liberalizimit të hyrjes në to, përmirësimi i raportit midis tregut të lirë të punës dhe planifikimit që ende ekziston për arsye të njohura për kontingjentet e studenteve. Se si do të përballohet konkurrenca me universitetet private që kanë nisur të veprojnë dhe të jenë pjesë e identitetit tonë, se si do të popullohet gjithashtu konkurrenca reale me universitetet perëndimore ku studiojnë mijëra ose më saktë  mbi dhjetëmijë studentë shqiptarë.

Pa folur konkretisht se çfarë do të bëhet realisht me universitetet, kryeministri ka theksuar se për vendin tonë i cili ndodhet në procesin e integrimit në strukturat evropiane është domosdoshmëri përshpejtimi i reformës në arsimin e lartë dhe ndryshimi i mendësisë menaxhuese në universitetet shqiptare./tvklan.al